Balaj-Bale! Kujdes nga germëzimet, pasi në fushë janë dy bomberë të ndryshëm. Me gjithë ngjashmëritë në shkrimin që mbajnë mbi shpinë, Balaj dhe “Bale” kanë gjithashtu një superpërballje të fatit të tyre, shkruan panoramasport.
Shkodrani rikthehet si ai që vendosi miqësoren e vitit 2018 me një penallti, si për të treguar se mbetet në të njëjtën lartësi edhe pse në fund të këtij sezoni është pa skuadër.
Thuajse me të njëjtin fat, “në ajër” është edhe uellsiani, i cili lë Totenhemin pa kurrfarë shkëlqimi dhe do të duhet të rikthehet në Madrid. Ndonëse 3 ditë më parë luajtën ndaj Francës, sipas mediave ndërkombëtare Uellsi pritet që të hedhë në fushë ndaj Shqipërisë “artilerinë e rëndë”, me Ramsej, Xhejms dhe Bejl në fushë si për t’u kolauduar me ritmin që do të luhet faza e grupeve në Europian pas 11 qershorit.
Deni Uard; Xho Rodon, Tom Lokier, Kris Mefam, Ben Dejvis; Aron Ramsej, Xho Morel, Xho Alen; Herri Uillson, Bejl, Daniel Xhejms pritet të jenë të besuarit nga Robert Pejxh, pas skandalit që ka ndodhur me Rajan Gigsin që nuk do të jetë në stolin e uellsianëve.