Kevin De Bruyne ka pasur një operacion të vogël në fytyrë pas përplasjes që pati ne finalen e Ligës së Kampionëve kundër Chelsea të cilin e ka kaluar me sukses dhe pritet që të hënën t’i bashkohet Kombëtares së Belgjikës.
29 vjeçari, theu hundën dhe dëmtoi syrin e majtë në një përplasje me Antonio Rudiger.
Belgjika takohet me Rusinë në ndeshjen e parë të Euro 2020 më 12 qershor përpara se të përballet me Danimarkën më 17 qershor dhe Finlandën më 21 qershor.
"Operacioni zgjati vetëm 20 minuta," tha trajneri i Belgjikës Roberto Martinez. "Shkoi shumë mirë, shumë pozitivisht".
Belgjika është ekipi i renditur më së larti në botë dhe De Bruyne është njëri nga lojtarët kryesor të kësaj kombëtareje.
"Kjo ndërhyrje e vogël ishte e nevojshme për një perspektivë afatgjatë. Ai nuk do të ketë nevojë për një shërim të gjatë.”, shtoi Martinez.
"Stafi mjekësor është i kënaqur me rezultatin. Ne po presim të hënën kur ai do të bashkohet me skuadrën tonë.", theksoi ai.