Kaleb Ekuban po bëhet gati që të largohet nga kampionati turk i futbollit dhe të afirmohet në një nga kampionatet më të rëndësishme europiane. Ish-sulmuesi i Partizanit më në fund shihet nga të gjithë si një lojtar i cili mund të japë kontributin e tij në klube të rëndësishme.
Trabzonspor tashmë ka vendosur që të shesë futbollistin, duke parë interesimin e madh që ka për të nga klube të Serisë A dhe Ligës 1, me vetë lojtarin që do të dëshironte të kthehej në Itali.
Sipas mediave turke, klubi kërkon që të përfitojë 4 milion euro nga shitja e Ekuban, për të cilin ka shpenzuar më pak se 1 milion euro kur e mori nga radhët e Lids disa vite më parë.
Tani mbetet të shihet se cili do të jetë destinacioni i radhës i lojtarit i cili hapin e parë të rëndësishëm të karrierës së tij e bëri pikërisht në Superiore, duke ardhur nga kategoritë e ulëta të futbollit italian për t’u aktivizuar me të kuqtë. Ajo i dha mundësinë sulmuesit që të binte në sy edhe në arenën ndërkombëtare e më pas të siguronte kalimin te Lids i cili luante asokohe në kategorinë e dytë angleze.