Milani vijon të monitorojë merkaton për të shfrytëzuar mundësitë e duhura për të përforcuar, por njëkohësisht drejtuesit po merren edhe me futbollistët në pronësi të klubit, që kanë qenë në huazim dhe do të rikthehen në Milanello në nisje të sezonit të ri.
Kështu gjithçka nis nga Mattia Caldara, të cilit i përfundon huazimi te Atalanta dhe bergamaskët duket se nuk kanë ndërmend të ushtrojnë të drejtën e blerjes, të ndikuar edhe nga dëmtimet e shpeshta të qendërmbrojtësit italian.
Megjithatë as në formacionin e Piolit nuk ka vend për të, pasi me Kjaer, Tomori e Romagnoli duket gjithçka e zgjidhur, ndaj po punohet që Caldara të huazohet në një tjetër skuadër, me qëllim që të luajë rregullisht dhe të rigjejë formën e tij të dikurshme.
E njëjta situatë është edhe për dy anësorët Conti e Laxalt, me të parin që pas 6 muajsh huazim te Parma, ka zgjuar interesim te klubi i Genoas, ndërsa uruguaiani ka adhurues të shumtë në Itali e jashtë saj, ndaj nuk do të jetë i vështirë një tjetër huazim.
Më ndryshe është situata me mbrojtësin brazilian Leo Duarte, i cili është huazuar te turqit e Basaksehir deri në janar të 2022-shit dhe deri tani ka barë paraqitje mjaft të mira, ndaj klubi nga Stambolli duket i bindur të paguajë 5-6 milionë euro për të blerë përfundimisht kartonin e tij.
Një tjetër futbollist që ka bërë mirë në huazim është edhe mesfushori Pobega, i cili është rritur shumë te Spezia dhe ka bërë paraqitje mjaft të mira nën drejtimin e trajnerit Vincenzo Italiano.
Kjo ka bërë që Pioli t’i shënojë emrin për grumbullimin në muajin korrik, pasi dëshiron ta monitorojë nga afër gjatë fazës përgatitore, për të vendosur më pas nëse do ta mbajë në Milanello, apo do ta lërë sërish në huazim.