Bruno Telushi ka mbyllu bashkëpunimin me klubin azer të Neftchi Baku-së, teksa kanë qenë vetë këta të fundit që kanë dhënë lajmin nëpërmjet një komunikate zyrtare.
Neftchi nuk e ka rinovuar kontratën me mesfushorin Bruno Telushi. Falënderojmë futbollistin shqiptar për shërbimet e tij dhe i urojmë suksese në karrierën e tij. Duhet theksuar se Telushi, i cili u transferua në tetor të vitit të kaluar, u paraqit në 9 ndeshje”, thuhet në komunikatën e klubit azer.
I transferuar në Azerbajxhan në fillim të këtij sezoni, mesfushori nuk arriti të përshtatet si duhet me futbollin atje dhe gjatë gjithë sezonit arriti të zbresë në fushë në vetëm 9 ndeshje, duke mos ia dalë të lërë gjurmë.
Kjo duket edhe arsyeja pse drejtuesit e klubit azer vendosën të mos i rinovojnë kontratën, duke lënë të lirë mesfushorin vlonjat, i cili tani është në kërkim të një tjetër skuadre dhe nuk përjashtohet rikthimi në Kategorinë Superiore.
Tashmë në moshën 30-vjeçare, Burno Telushi e nisi karrierën te Flamurtari, ku edhe debutoi në Superiore, ndërsa p[as një aventure të shkurtër në Kroaci e Itali, u rikthye në Shqipëri për të luajtur fillimisht me Partizanin e më pas me Kukësin gjatë eliminatoreve të kupave të Europës verën e kaluar.