Te Brazili nuk është aspak një situatë e qetë, vetëm pak ditë para fillimit të Kupës së Amerikës, e cila është planifikuar të startojë më 11 qershor.
Pasi u anulua zhvillimi i këtij kompeticioni në Kolumbi dhe Argjentinë, për shkak të situatës së pandemisë, u vendos që të luhet në Brazil, aty ku gjithashtu situata e virusit është përkeqësuar së fundmi.
Kjo nuk ka lënë një shije të mirë te lojtarët e Brazilit, të cilët janë kundër këtij vendimi të marrë dhe kanë paralajmëruar nëpërmjet kapitenit Kasemiro, se do të largohen nga kombëtarja dhe nuk do jenë pjesë e turneut.
Gjithashtu në media flitet edhe mbi një largim të mundshëm të trajnerit Tite. Thuhet se ky i fundit po mendon largimin, pak ditë para fillimit të Kupës së Amerikës, diçka që do të krijonte një kaos total.