Futbollistët dhe sportistët në çdo disiplinë tjetër sportive, kush më shumë e kush me pak, kontribuan në vitet e 90-ta, për të mbajtur gjallë sportin dhe në anën tjetër i rezistuan regjimit serb.
Ragin Stublla i takon Gjeneratës së Republikës dhe ka qenë prej mesfushorëve më të dalluar në vitet e 90-ta.
Stublla si shumë sportistë të tjerë, nuk e ndali asnjëherë aktivitetin, duke dhanë kontribut aq sa kishte mundësi dhe as që u tremb nga kërcënimet e pushtuesit serb.

“Kur është bë mëvetësimi i futbollit të Kosovës kam luajtur në Llap. Më kujtohen ndeshjet që i zhvillonim në atëkohë në Dumnicë, Llukar, Hogosht etj.

Më kujtohet një rast kur kemi qenë duke e zhvilluar ndeshjen dhe vjen një 101-sh i policisë serbe, në ato momente u ndërpre loja”, tregon Stublla për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Foto Gani Kosumi
Ish futbollisti tha se ishin vitet të vështira por ndihet krenar që i takoi gjeneratës së sakrificës dhe që iu kundërvunë regjimit serb.

Duhet theksuar se Stublla ka luajtur në ekipin e parë pa i mbushur 17 vite, pastaj ka kaluar në Flamurtar në moshën 19-vjeçare, si e veçantë është që me juniorët e Llapit doli kampion i Kosovës në viti 1984.