Kombëtarja e Kosovës ka fituar dy ndeshjet e para miqësore të muajit qershor.
“Dardanët” fillimisht mposhtën San Marinon më 1 qershor me rezultat të thellë 4-1 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Ndërkohë, tri ditë më vonë Kosova mposhti 1-2 Maltën në Austri.
Trajneri i mirënjohur kosovar, Ismet Munishi tha se në këto përballje është dashur të luante më shumë minuta, Mirlind Daku, pasi ky i fundit aktivizohej në minutat e fundit.
Munishi gjithashtu kishte disa fjalë edhe për portierin, Visar Bekajn i cili u paraqit në sfidën e dytë.
“M’u bo qejfi që luajti Mirlind Daku. Ka mundur të luajë më shumë. Më gëzoi fakti që debutoi Visar Bekaj. E rëndësishme ka qenë që Visari ka bërë një paraqitje mjaftë të mirë ndaj Maltës. Në të ardhmen mund të llogarisim në Bekajn”, deklaroi Munishi.
Dy ardhjet e reja te Kosova për këto ndeshje ishin edhe Blendi Idrizi dhe Destan Bajselmani.
Për këtë të fundit, trajneri i Gjilanit tha se ka notën 10.
“Idrizi dhe Bajselmani më kanë lënë përshtypje të mirë. Bajselmani e ka notën 10 për paraqitjen edhe për deklaratën, lukun e tij”, shtoi Munishi.