Barcelona mund të detyrohet ta shesë Ousmane Dembelen për vetëm 50 milionë euro këtë verë, megjithëse i pagoi hiç më pak se 135 milionë euro për ta afruar atë nga Borussia Dortmundi vite më parë.
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, dëshiron ta mbajë anësorin francez Dembele në klub, duke e bindur që ta vazhdojë marrëveshjen me klubin.
Marrëveshja e Dembeles me Barçën mbaron në verën e vitit 2022, kur do të ishte i lirë të largohej falas nga Camp Nou.
Prandaj, Laporta dëshiron ta shmangë një gjë të tillë, ose duke e bindur 24-vjeçarin ta vazhdojë marrëveshjen me klubin, ose duke e shitur për një çmim të paktën 50 milionë euro, sipas Mundo Deportivos, gazetës së afërt me klubin katalonas.
Shuma prej 50 milionë eurove është e ulët kur e mendon se Barcelona ia pagoi 135 milionë euro Dortmundit kur e mori francezin nga Bundesliga në vitin 2017.
Por duke parë se kontrata e tij e tanishme mbaron pas një viti, klubi nuk do të dëshironte ta humbiste pa asnjë qindarkë.
Juventusi ka bërë përpjekje ta joshë Dembelen, ndërsa Paris Saint-Germaini synon ta marrë falas në verën e vitit të ardhshëm.