Atalanta në sezonet e fundit ka bërë shumë mirë duke u renditur mes katër më të mirave në Itali, ndërsa edhe në Champions League është paraqitur në mënyrë dinjitoze. Në këtë formë, janë të shumtë lojtarët që janë promovuar nga bergamaskët e mes tyre është edhe Kristian Romero.
23-vjeçari që ndan repartin e mbrojtjes me Berat Gjimshitin ka qenë së fundmi i ftuar nga kombëtarja e Argjentinës për ndeshjet kualifikuese të Katar 2022. Madje, në mbrëmjen e djeshme, gjeti edhe rrugën e rrjetës në sfidën përballë Kolumbisë që përfundoi jë barazim 2-2.
Mbrojtësi shënoi pas vetëm 130 sekondash, duke u futur në histori si goli më i shpejtë që Argjentina shënon jashtë fushe. Rekordin e mëpërshëm e mbante një legjendë si Maradona nga viti i largët 1985, teksa i kishte shënuar në transfertë Venezuelës pas 168 sekondash.
Një arritje personale me siguri shumë e veçantë për Romeron, duke qenë se tashmë emri i tij po lakohet kudo si personi që mposhti një rekord të Maradonë.