Gazetari i mirënjohur sportiv në Maqedoninë e Veriut, Reshat Ibraimi, kujton shumë ndeshje të legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.
Ai ende nuk mund të besoj se Vokrri tash e tre vite ka ikur në amshim.
“Fadil Vokrri është te secili prej nesh dhe në çdo ndeshje të Kosovës. "9"-ja e paharruar!
Kur isha i ri e admiroja si futbollist. I dëgjoja komentimet në radio se si Fadil Vokrri shënonte gola për Prishtinën, Partizanin e Beogradit dhe reprezentacionin e Ish-Jugosllavisë!
Pata rastin që shumë herë ta ndjek nga tribuna në stadiumin e kryeqytetit në Prishtinë.
Me shokët e mi studentë, ndeshjet e Prishtinës në vitet e 80-ta i ndiqnim prapa portave.
Sa e sa herë na gëzonte Fadil Vokrri me ato gola të bukur dhe të rëndësishëm për Prishtinën në ligën e atëhershme Federative.
Më vonë profesioni i gazetarit më krijoi mundësinë e artë që ta intervistojë dhe të kem raporte të mira miqësore.
Njëherë i pata shkuar për vizitë në FFK. Kosova s’ishte e pranuar në UEFA dhe FIFA. E pata pyetur të ndjerin: Fadil, përse nuk po kërkon ndihmë nga Dragan Stojkoviq (ish lojtar i Cërvena Zvezdës së Beogradit) që të ndikoj në pranimin e FFK-së në UEFA dhe FIFA, pasi njihesh me të.
Ma ktheu: E dinë mirë ai. Ka dëshirë, por nuk guxon ta shprehë publikisht, për arsye politike!
Sa shumë sakrificë ka bërë ai njeri për futbollin e Kosovës. Dhe, sot Kosova është e pranuar në UEFA dhe FIFA.
Fadil Vokrri është te secili prej nesh dhe në çdo ndeshje të Kosovës. "9"-ja e paharruar. Pusho i qetë legjendë, sepse Kosova po ndërtohet”, ka shkruar Ibraimi në profilin e tij në facebook.