“Dardanët” e zhvillojnë sot seancën e fundit stërvitore para miqësores së katërt të qershorit, e cila do të zhvillohet nesër mbrëma në Antalya të Turqisë
Kosova po bëhet gati për miqësoren e katërt të muajit qershor. “Dardanët” e kanë zhvilluar sot seancën e fundit stërvitore para duelit që do ta kenë nesër mbrëma me Gambinë. Verdhekaltrit edhe në këtë ndeshje do të përbëhen nga lojtarët e Superligës dhe prurjet e reja.
E njëjta gjë ndodhi edhe në ballafaqimin me Guinenë të martën mbrëma, ku Kosova u mposht 1:2.
Trajneri Bernard Challandes edhe në duel me ekipin tjetër kombëtar afrikan do ta ketë mundësinë t’i shohë nga afër prurjet e reja. Lojtarët e rinj do ta kenë mundësinë që ta tregojnë veten, ndërsa zvicerani të llogarisë ndoshta në ndonjërin prej tyre për të ardhmen.
Ndeshja me Gambinë do ta kompletojë maratonën e miqësoreve të Kosovës në muajin qershor. “Dardanët” paraprakisht i zhvilluan dy miqësore me San Marinon dhe Maltën, të cilat i fituan. Miqësorja e katërt e Kosovës zhvillohet të premten duke filluar nga ora 19:00.