Leja e veçantë nga qeveria spanjolle për të vaksinuar përfaqësuesen e Spanjës para nisjes së Euro 2020 për të evituar infektime të tjera, nuk ka zgjidhur ende problemet te iberikët por ka hapur telashe të reja. Tashmë sherri mes ekipit dhe qeverisë spanjolle është për llojin që do të administrohet, pasi të gjithë duan që të bëjnë vaksinë me një dozë, e jo variantet me 2 të tilla.
Qeveria spanjolle miratoi vaksinimin jashtë planit të delegacionit të përfaqësues spanjolle me vaksinën e Pfizer, që kërkon dy doza dhe e dyta duhet të jetë 21 ditë nga e para. Por lojtarët dhe stafi nuk duan që të jenë të varur nga administrimi i dozës së dytë, pasi mund të jenë në vendet e tjera të Europës gjatë aktivitetit në atë periudhë, apo të kenë dalë nga Europiani plotësisht e me pushime.
Kështu, ata kanë kërkuar që të vaksinohen me Janssen që ka vetëm një dozë.
Por qeveria spanjolle nuk e lejon këtë tip vaksine për personat nën moshën 50-vjeçare si pasoj e rasteve me trombozë. Kështu, sherri vazhdon e ndërkohë lojtarët e Spanjës mbeten ende të rrezikuar që të infektohen në grumbullim apo gjatë lëvizjeve për të luajtur në ndeshjet e Europianit, në pritje që ky ngërç të zgjidhet.