Marash Kumbulla ka mbyllur sezonin e tij të parë me Romën dhe mund të konsiderohet pozitiv, duke marrë parasysh se mbrojtësi i kombëtares u detyrua të luftonte edhe me COVID-19 apo dëmtimet.
Vetë lojtari, nëpërmjet rrjeteve sociale ka bërë një bilanc të sezonit të parë me fanellën verdhekuqe teksa thekson se është vetëm fillimi dhe se do të përmirësohet.
“Pas dy ndeshjeve të rëndësishme me Kombëtaren, sezoni im mbaroi. Ishte shumë emocionuese, debutimi me Romën në kompeticionin europian, goli i parë me këtë fanellë, goli i parë në Serinë A, rritja me Shqipërinë, me të cilën unë kam ëndrra dhe kam objektiva të rëndësishëm për të arritur.
Ka shumë gjëra pozitive që i mbaj për vete, ndërsa nga ana tjetër ato negativet, më kanë shërbyer për t’u rritur.
Ky është vetëm fillimi dhe dua të vazhdoj që të rritem. Mezi po pres sezonin e ri dhe shpresoj më në fund të gjej tifozët në Olimpico”, shkruan Kumbulla.