Maqedonia e Veriut është në grupin C me Holandën, Austrinë dhe Ukrainën.
Gjashtë shqiptarë janë në përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut, Enis Bardhi, Arijan Ademi, Ezgjan Alioski, Visar Musliu, Ezgon Bejtullai dhe Ferhan Hasani.
Maqedonia është e gatshme për sfidën e parë kundër Austrisë, e cila do të zhvillohet të dielën e 13 qershorit në orën 18.00 në stadiumin “Arena Nationala” në Bukuresht.

Zëdhënësi i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Faton Zylbehari, nga Bukureshti deklaron për gazetën kombëtare “Bota sot”, se atmosfera është e mirë dhe mezi e presin përballjen e parë.
Maqedonia për herë të parë është në një garë të madhe siç është Kampionati Evropian.
“Sigurisht është diçka unike të jesh në kampionat, posaçërisht për vende të vogla si Maqedonia, por thjeshtë edhe nga rajoni jonë, nuk janë gjëra që i shijojmë dhe i provojmë rregullisht.
30 vite iu janë dashur Maqedonisë që të jetë pjesë e Kampionatit Evropian dhe i tëri është për të shijuar në maksimum, kuptohet edhe periudha e pranisë së pandemisë me Covid 19”, tha Zylbehari.
Më tej thotë se Austria, Ukraina dhe Holanda janë favoritë.

“Atmosferë në skuadër është shumë e mirë, natyrisht të gjithë janë të entuziazmuar dhe mezi presin për të nisur ky evropian dhe për të provuar e të shijohet futbolli elitar për ekipet përfaqësuese.
Austria mbetet favorit ashtu si Ukraina edhe Holanda, por Maqedonia është fituesja më e madhe e këtij evropiani”, përfundon Zylbehari.