Anglia fillon rrugëtimin në edicionin e 16 të kampionatit evropian dhe ekipi kombëtar i “tre luanëve” do të bëjë çmos për ta nisur aventurën në kompeticionin më të rëndësishëm të Kontinentit të Vjetër në rang përfaqësuesesh me një fitore. Përballë qëndron ekipi i Kroacisë, dhe dy vendet do të masin forcat në Grupin D, ku bëjnë pjesë gjithashtu edhe Skocia me Republikën Çeke.
Dy vendet takohen pas vetëm tre vjetëve dhe kurioz është fakti që në vitin 2018 Anglia dhe Kroacia u ndeshën plot tre herë ndërmjet tyre. Mbi të gjitha është një përsëritje e takimit gjysmëfinal të botërorit rus, ku Kroacia përfitoi edhe nga tërheqja e parakohshme e Anglisë në mbrojtje, për të përmbysur disavantazhin dhe fituar ndeshjen në Stadiumin Luzhniki të Moskës, pas një goli të realizuar në kohën shtesë nga sulmuesi i mirënjohur Mario Mandzukic.
Po në atë vit këto ekipe u përballën edhe dy herë të tjera në fazën e grupeve në Ligën e Kombeve dhe pas barazimit me rrjeta të paprekura në Rijeka “three lions” kthyen rezultatin me dy gola të shënuar në 12’ e fundit të takimit nga dyshja Lingard – Kane, për të triumfuar me shifrat 2-1, duke shtyrë kështu ekipin kroat në fund të klasifikimit, për ta mbyllur vetë në krye aventurën e fazës së grupeve në UEFA Nations League.
Anglia do të ketë privilegjin e faktorit fushë, duke pasur parasysh faktin që skuadra e drejtuar nga trajneri Gareth Southgate do t’i zhvillojë të gjitha ndeshjet e fazës së grupeve në kryeqytet. Finalja e evropianit të vitit 1996 ndërmjet Gjermanisë dhe Republikës Çeke u zhvillua pikërisht në Wembley, megjithatë çerek shekulli më vonë stadiumit më të madh për nga kapaciteti në ishull i ka mbetur vetëm emri, sepse sic dihet ky impiant është ndërtuar plotësisht nga e para.
Wembley i ri është projektuar për të mbajtur mbi shpatulla plot 90.000 spektatorë, por këtë herë stadiumi i famshëm londinez do të mbajë vetëm cerekun e kapacitetit, pra afërsisht rreth 22.500 të pranishëm, për shkak të masave shtrënguese që janë në fuqi në Mbretërinë e Bashkuar, për arsye të pandemisë së koronavirusit. Kroacia merr pjesë vetëm për herë të gjashtë në fazën finale të një aktiviteti të tillë dhe për hir të së vërtetës pas shpërbërjes së Ish-Jugosllavisë përfaqësuesja e këtij vendi nuk ka fituar të drejtën për t’u kualifikuar vetëm në evropianin e vitit 2000, që u zhvillua në Holandë dhe Belgjikë.
Anglia merr pjesë për herë të dhjetë në kampionatin evropian dhe nga 1988 e këtej përfaqësuesja e “tre luanëve” është kualifikuar rregullisht për në fazën finale të këtij kompeticioni, me përjashtim thjesht të edicionit të vitit 2008, që u zhvillua në Austri dhe Zvicër. Arritjen më të madhe në histori anglezët e kanë regjistruar në vitin 1968 në Itali, kur vetëm dy vjet pas titullit botëror të fituar në ishull ekipi i Alf Ramsey-t mundi në finalen e vogël Bashkimin Sovjetik, ndërsa cerek shekulli më parë në evropianin e organizuar në shtëpi Anglia shkoi deri në katërshe, ku u eliminua në gjysmëfinale pikërisht nga Gjermania e Berti Vogts.
Këtë herë Anglia konsiderohet si një ndër përfaqësueset favorite për të triumfuar, duke marrë në konsideratë faktin që përvec tre sfidave në fazën e grupeve Wembley do të presë gjithashtu edhe një takim në fazën e 1/8, si dhe gjithë ndeshjet në “final four”. Mbetet për t’u parë rrugëtimi që do të zgjedhin “tre luanët”, por është e kuptueshme që nëse do të preferojnë për të qëndruar në Londër në fazën e knock out-it vendasit do të përballen menjëherë me një skuadër kundërshtare si Franca, Portugalia apo dhe Gjermania, pasi kombëtarja që pozicionohet e para në përfundimin e ndeshjeve në grupin D do të përballet me skuadrën që klasifikohet e dyta në Grupin F, ku bëjnë pjesë pra pikërisht këto ekipe. Kurioz është fakti që Anglia nuk e ka fituar kurrë në histori ndeshjen hapëse të një evropiani, sidoqoftë këtë herë presioni mbi shpatullat e trajnerit Gareth Southgate sa vjen e shtohet.
Për më tepër 50-vjecari nga Ëatfordi ka me probleme fizike edhe dy futbollistë si Harry Maguire e Bukayo Saka. Anglia pozicionohet e katërta, ndërsa Kroacia ka rrëshqitur në vendin e 14, në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s. Për herë të parë pas 6 vjetësh anglezët krenohen me 7 fitore rresht në sfidat miqësore, ndërkohë goli i pësuar nga mesfushori Jakub Moder me Poloninë në fundin e marsit është edhe i vetmi që kanë pësuar “three lions”, në 6 takimet e fundit në të gjithë kompeticionet.
Trajneri Zlatko Dalic nuk ka më në kontigjentin e futbollistëve një sulmues si Mario Mandzukic, madje Kroacia ka fituar vetëm dy takimet me Qipron dhe Maltën në 9 ndeshjet e fundit në të gjithë aktivitetet, për më tepër edhe ato në shtëpi. Dy vendet janë përballur në plot tetë ndeshje zyrtare dhe Anglia kryeson 4-3 sfidat kompetitive ndërmjet tyre. Ndeshja do të luhet në orën 15:00 dhe do të drejtohet nga kryesori italian Daniele Orsato. Po ditën e dielë do të zhvillohen gjithashtu edhe dy ndeshjet e Grupit C.
Fillimisht Austria do të presë Maqedoninë e Veriut, që bën debutimin në një aktivitet madhor. Takimi do të mbahet në Arenën Kombëtare të Bukureshtit në orën 18:00, ndërsa Holanda do të presë në Amsterdam, në orën 21:00 në Stadiumin Johan Cruyff Arena përfaqësuesen e Ukrainës, në të parën ndeshje kompetitive në historinë e përballjeve ndërmjet tyre.