Etrit Berisha dhe Thomas Strakosha, prej disa vitesh duelojnë në distancë për një vend në katërkëndorin kuqezi, duke u alternuar nga trajnerët që janë ulur në këto vite në bankinë.
Sigurisht, e ardhmja i përket Strakoshës, por Berisha për momentin po paraqitet shumë mirë, ndaj tekniku Reja aktualisht ka zgjedhur këtë të fundit si portierin titullar në radhët e kuqezinjve.
Por ky rivalitet duket se në këtë verë do të shkojë përtej atij brenda ekipit kombëtar. Sipas mediave italiane, një nga klubet e Serisë A ka zgjedhur pikërisht dy shqiptarët si alternativat më të mundshme për katërkëndorin e tij. Bolonja pret largimin e Skorupskit gjatë verës dhe trajneri Sinisha Mihajloviç ka piketuar Berishën e Strakoshën si ata emra të cilët mund të ndihmojnë ekipin e tij të përballojë vazhdimësinë në Serinë A.
Berisha duket opsioni që mund të arrihet më lehtë, për faktin se ai kërkon të largohet nga SPAL në Serinë B dhe ka një kosto të kartonit shumë më të ulët.
Ndërsa operacioni për afrimin e Strakoshës është pak më i komplikuar, për vetë kërkesat që ka Lacio, edhe pse portieri është i ndërgjegjshëm se me Sarrin në stol, mundësia për të qenë titullar para Pepe Reinas është shumë e vogël.