Kombëtarja e Kosovës ka mbyllur kampin në Antalya të Turqisë ku zhvilluan edhe dy ndeshje miqësore.
Dardanët qëndruan për një javë në Antalya, ku zhvilluan miqësore ndaj Guinesë dhe Gambias.
Takimin e parë të besuarit e trajnerit Bernard Challandes e humbën me rezultat të ngushtë 2-1, ku golin e vetëm e shënoi Arb Manaj.
Ndërkohë në ndeshjen e dytë ndaj Gambias, Kosova shënoi fitore minimale 1-0 me golin e Arbër Hoxhës.
Për fitoren e arritur, futbollistët e grumbulluar në këtë kamp kanë fituar edhe premi nga Federata e Futbollit të Kosovës.
Telegrafi mëson se secili futbollist i grumbulluar në këtë takim ka marrë nga 300 euro premi nga FFK për fitoren e arritur ndaj Gambias.
Përveç futbollistëve premi kanë marrë edhe stafi i Përfaqësueses së Kosovës.