Italia e ka prerë biletën për fazën tjetër të Kampionatit Evropian, pas fitores 3-0 ndaj Zvicrës.
Manuel Locatelli është vlerësuar si më i miri në sfidën mes Italisë dhe Zvicrës, duke fituar çmimin e lojtarit të ndeshjes.
Ai realizoi dy gola dhe u shpreh shumë i lumtur me startin e Italisë në “Euro 2020”.
“Duhet ta ndaj këtë çmim me të gjithë ekipin. Jam një nga më të rinjtë këtu, më kanë pritur shumë mirë dhe është e mrekullueshme të jem këtu me ta”, tha fillimisht ai.
Locatelli zuri një vend titullari sepse ylli i PSG, Marco Verratti është i dëmtuar dhe përsëri këtë mbrëmje nuk ishte as në stol, por ai nuk e konsideron veten të paprekshëm pas kësaj paraqitje.
“Mendoj se jemi një grup i mrekullueshëm djemsh dhe me të vërtetë shpresoj se Marco të mund të kthehet së shpejti, sepse ai është një lojtar kaq i talentuar që mund të bëjë ndryshimin. Trajneri duhet të bëjë zgjedhjet e tij, gjithçka që mund të bëjmë është të jemi gati kur të thirremi në detyrë. Le të vazhdojmë kështu”.
Ndeshjen e fundit Italia do ta zhvillojë me Uellsin dhe do të jetë ndeshje për vendin e parë në Grupin A.