Bale kërkon falje

Futboll

Bale kërkon falje

Më: 17 qershor 2021 Në ora: 14:53
Bale kërkon falje

Sapo përfundoi ndeshja kundër Turqisë, lojtarët e Uellsit u mblodhën në formë rrethi, ku në qendër ishte kapiteni. Gareth Bale uroi skuadrën për fitoren e shkëlqyer kundër skuadrës së Senol Gunes, iu nënvizoi shokëve se sa afër janë 1/8, u kujtoi se Uellsi në vitin 2016 shkoi deri në gjysmë finale, ndaj dhe nuk duhet të ndihen si të papërshtatshëm për të tilla nivele, duke i ftuar të gjithë që të japin maksimumin për ndeshjen e së dielës, në Romë, kundër Italisë.

Pastaj, edhe pse në fushë kishte shërbyer dy asiste të shfrytëzuara nga Ramsey e Roberts, si dhe dy të tjerë të shpërdoruar nga juventini, Bale kërkoi ndjesë për humbjen e penalltisë, që e fitoi vetë me një aksion personal, por pastaj e gjuajti shumë lart.

Shokët e skuadrës i dhanë zemër, duke e harruar atë episod, për ta Bale nuk ka nevojë të kërkojë ndjesë, pasi siç shpjegon edhe një tjetër protagonist i fitores, Chris Mepham “Gareth është lojtari më i madh në historinë e Uellsit, na tha atë që të gjithë dimë. Jemi një skuadër fantastike, unike për shpirtin me të cilin luajmë. Në vitin 2016 ky shpirt na çoi larg, përse të mos ndodhë edhe tani? Do të shkojmë në Romë dhe do të kërkojmë të fitojmë. Tani, pozicioni ynë në klasifikim është shumë i mirë”.

Dhe tifozët e “Dragonjve” festojnë, në Baku kundër Turqisë ishin 500 kundër 19 000, por në fund, triumfuan ata.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat