Përfundoi mbrëmë një prej transferimeve më të mëdha në këtë afat kalimtar.
Muharrem Jashari u zyrtarizua te nën-kampionia Drita, anipse për ish-futbollistin e Trepçës ‘89, lufta ishte tejet e ashpër.
Jashari parimisht kishte një marrëveshje me Gjilanin, por në momentet e fundit, u përcaktua për ngjyrat bardhë e kaltër.
Në një intervistë presidenti i 89-shit, Abedin Zeka, tha se Drita kishte dalë në aeroport për ta bindur Jasharin kur ai u kthye nga grumbullimi që kishte Kombëtarja e Kosovës në Turqi.
Megjithatë, Jashari thotë se kjo nuk është e vërtetë.
“Nuk është aspak e vërtetë që jam takuar me Dritën në aeroport. Me të zbritur në aeroportin e Prishtinës, jemi kthyer me shokë për në shtëpi, s’jam takuar me askënd”, tha shkurtimisht Jashari.
Me transferimin te Drita, mesfushori 23-vjeçar është bërë një prej futbollistëve më të shtrenjtë në histori të futbollit e Kosovës.