Wesyly Rooney mendon se Garet Sauthgejt po gabon me mënyrën se si rreshton ekipin në fushë, ose më saktësisht me një futbollist në veçanti që ai insiston të jetë titullar në Euro 2020. Ish-sulmuesi i Anglisë, ka këshilluar trajnerin e “tre luanëve” që të lërë në stol Fil Foden, për t’i bërë vend Xhek Grelish apo Xhedon Sanço.
“Mançester Siti luan në 3/4 e fushës kundërshtare. Ata e mbajnë topin atje. Dhe Foden nuk është një driblues, por një lojtar që luan ato pasimet e shkurtra dhe luan në pozicione të mira.
Te Siti, lëvizja e lojtarëve rreth tij ia mundëson këtë. Siti luan shumë pasime të shpejta dhe i lejon hapësirën Foden të dalë e të luajë si 9 apo 10. Ndërsa me Anglinë ai është i izoluar në krah dhe kur merr topin, qarkullimi është i ngadaltë dhe ka pak gjera që ndodhin rreth tij”, shpjegoi Runi për “The Times”.
“Kjo do të thotë se duhet të driblojë. Ndaj nëse po luan në këtë mënyrë, me futbollistët e krahut, pse të mos luajnë Grelish apo Sanço, që janë dy më të mirët që mund ta bëjnë një gjë të tillë? Mua më pëlqen Foden si futbollist, por duhet ta kuptoni se prej 4 vitesh a më shumë, ai është përshtatur për të qenë një futbollist i Sitit.
Guardiola nuk e la të largohet në huazim të provojë një lloj tjetër futbolli dhe është e vështirë për të të ndryshojë tani një stil loje që ai e përdor që kur ishte 16 vjeç”, ishin fjalët e Runit për talentin e Sitit dhe ndryshimin që Sauthgejt duhej të bënte në përfaqësuese që të shpresonte të ecte sa më shumë në turne.