Garet Sauthgejt mori një hap të pazakontë duke konfirmuar se Herri Kejn do të jetë titullar edhe në ndeshjen e sotme kundër Republikës Çeke. Sulmuesi i Anglisë nuk ka shënuar ende në këtë Europian dhe është zëvendësuar në të dyja ndeshjet e para të kombëtares, duke vënë në dyshim rolin e tij në skuadër. Por kapiteni është graduar edhe njëherë në majën e sulmit të skuadrës së “Tre Luanëve” përpara ndeshjes së fundit të Grupit D kundër Çekisë në “Wembley”. I pyetur nëse sulmuesi do të ishte titullar, Sauthgejt nuk pati asnjë drojë ta konfirmonte:
“Po nënkuptoni nëse do të jetë titullar? Po. Absolutisht, nuk e kam problem që t’ua jap si lajm. Ai është vendimtar, jo vetëm për golat që shënon, por edhe në ndërtimin e lojës dhe gjithçka sjell. E di që do të ketë shumë pyetje për të në këtë moment, por ai e ka kaluar këtë situatë 100 herë më parë.
Unë i jam përgjigjur kësaj pyetjeje disa herë në të shkuarën dhe ai është rikthyer me gola duke na fituar ndeshjet e ardhshme dhe unë pres që ai të bëjë të njëjtën gjë ndaj Çekisë”.
Mediat angleze zbulojnë se Kejn ka mbështetjen totale të gjithë shokëve të skuadrës. Sulmuesi i Totenhemit, i cili vlerësohet sot si një prej numrave 9-të më të mirë në botë, ka shënuar 34 gola për kombëtaren e Anglisë në vetëm 56 ndeshje. Sauthgejt dhe stafi i tij nuk e kanë vënë kurrë në diskutim sesa i rëndësishëm ai është për skuadrën.
Kejn është futbollisti më i besuar i Sauthgejtit. Ai e gradoi atë kapiten në vend të Hendersonit dhe ka luajtur 3.229 minuta me për këtë trajner, 3 orë më shumë se çdo futbollist tjetër.
Çekia ka qenë një surprizë e këndshme deri në këtë moment, ku në dy ndeshjet e para ka grumbulluar 4 pikë, edhe falë golave të Patrik Shikut.
Dhe Sauthgejt në betejën e fundit për të siguruar biletën në 1/8-at paralajmëron “Luanët” e tij për të bërë kujdes: “E dimë që kanë futbollistë të rrezikshëm dhe për të thyer Çekinë do të jetë një problem i ndryshëm taktik, por edhe një sfidë shumë e vështirë për ato duelet një kundra një. Dhe kjo është ajo që ne duhet të bëjmë”.