Etrit Berisha është gjithnjë e më parë transferimit te Torino. Portieri i përfaqësueses shqiptare është në negociata me drejtuesit e klubit torinez, të cilët kërkojnë një portier të dytë për ekipin e tyre. Marrëveshja është drejt finalizimit, edhe pse ka disa vështirësi të vogla që kanë lidhje me pagën e tij.
Drejtori sportiv aktual i Torinos është i njëjti që transferoi Berishën dy sezone më parë te SPAL dhe ai pranoi asokohe rrogën prej 1 milionë eurosh të portierit shqiptar. Tani Berisha kërkon që të ruajë këtë rrogë edhe te Torino, ndërsa në klubin granata kërkojnë që të ulen disi shifrat e marrëveshjes, meqë bëhet fjalë për një kontratë dyvjeçare apo trevjeçare.
Megjithatë, në Itali janë të bindur se shumë shpejt Berisha do të jetë një lojtar i Torinos dhe për këtë është i lumtur edhe Xhani de Biazi, i cili e ka drejtuar te kombëtarja shqiptare, ndërsa ka një të kaluar edhe te klubi torinez.
“Berisha është një garanci. Ai jep siguri dhe është një portier i besueshëm. Ai di të komandojë mbrojtjen”, ishin fjalët e trajnerit, i intervistuar nga “Tuttosport” për këtë transferim që pritet në ditët në vijim.