Kampionia e Kosovës në futboll, FC Prishtina arriti me sukses ta kalojë fazën parakualifikuese të Champions Leagues dhe tani do të luajë në raundin e parë kualifikues.
“Plisat” triumfuan 2:0 ndaj kampionit të Andorrës, Inter Escaldes, ndërsa me po të njëjtin rezultat triumfuan edhe ndaj Folgores në gjysmëfinale.
Ishte Endrit Krasniqi që shkëlqeu sonte me dy gola duke i dhënë kualifikimin tutje kryeqytetasve. Krasniqi ishte protagonisti kryesor edhe në ndeshjen ndaj Folgores ku shënoi një gol dhe asistoi në tjetrin.
Pas ndeshjes, në kampin e Prishtinës kishte filluar festa e madhe, e përcjellur me këngët e tifogrupit të tyre, “Plisave”. Zëdhënësi i Prishtinës, Avni Durmishi publikoi një video në profilin e tij duke ndarë pak çaste nga festa që ka filluar tashmë te Prishtina.