Italia kthehet në fushë, por jo më në “Olimpico”, ku fitoi tri ndeshjet e grupit. Në 1/8 finale do të luajë në “Wembley” kundër Austrisë. Raundi i parë me eleminim direkt për axurrët, që në grup e mbyllën me lehtësi në vendin e pare, me pikë të plota dhe pa asnjë gol të pësuar.
Austriakët na kujtojnë “netët magjike” të “Italia ’90”, kur ekipi i drejtuar nga Azeglio Vicini e mbylli në vendin e tretë. Atëherë, ndeshja e parë e grupit përfundoi 1-0, një rezultat që do të ishte i mirë sonte për të shmangur tensionin e kohës shtesë dhe, ndoshta, të gjuajtjeve të penalltive.
Pikërisht ato penallti që, me kalimin e viteve, kanë qenë sinonim i gëzimeve dhe hidhërimeve. Precedenti i fundit ka të bëjë me pjesëmarrjen në Kampionatin Europian të Francës, pesë vite më parë, me “llotarinë” që nuk i buzëqeshi ekipit të Antonio Conte kundër Gjermanisë.
Siç është raportuar nga “La Gazzetta dello Sport”, trajneri Mancini ka zgjedhur se cilët duhet të jenë pesë “penalltarët” e tij, nëse gjuajtjet e 11-metërshave do të jenë të nevojshme për “të dekretuar” fituesin: Jorginho, Immobile, Acerbi, Berardi dhe Bonucci.
Ndër “më të mësuarit” për t’u paraqitur nga pika e bardhë janë “regjisori” i Chelsea dhe sulmuesi i Lazio, ndërsa në rastin e dy mbrojtësve jemi përballur me një demonstrim të madh të besimit nga trajneri axurr, për shkak të përjashtimit nga kjo listë e Insigne. Kapiteni i Napolit do të ishte arma e parë (ose një nga të parët) që do të futet në skenar, kur një gabim ose realizim mund të bëjë të gjithë ndryshimin në llogaritjen e rezultatit përfundimtar.
Sa i përket Bonuccit, sidoqoftë, rezultati i tij i gjuajtësit të penalltive është i kufizuar vetëm në ekipin kombëtar. Asnjë penallti nuk ka goditur te Juventusi, tre me Italinë, dy prej të cilave në ndeshjen e lartpërmendur kundër Gjermanisë. Bilanci nuk është pozitiv: një në rrjetë dhe dy gabime. Shpresa është që ndeshja të zgjidhet në kohën e rregullt, pa iu falur “llotarisë” së penalltive, ku luan një rol të konsiderueshëm edhe fati.