Jerome Rothen, ish lojtari i Paris Saint-Germain dhe i kombëtares franceze beson se një sulmuesi 22-vjeçar i është dhënë shumë pushtet në kombëtaren franceze.
Kylian Mbappe mund të jetë një nga lojtarët më të mirë në planet, por Jerome Rothen pretendon se egoja e sulmuesit të Paris Saint-Germain është bërë "problematike" dhe nuk mund të menaxhohet më nga trajneri Didier Deschamps.
Rothen mendon se pushteti që i kanë dhënë ka ndikuar për keq te talenti francez, që ka vështirësuar punën e Deschamps për trajnimin e tij.
Rothen, i cili fitoi 13 ndeshje për vendin e tij dhe figuroi në skuadrën e tyre në Euro 2004, i ka thënë RMC Sport: "Mbappe është udhëheqësi në fushë, nuk ka asnjë problem. Që egoja e tij shkon jashtë fushe, kjo më shqetëson”.
"Unë mendoj se Didier Deschamps nuk mund ta menaxhojë më atë dhe është problematike. Është madje e habitshme që i ka dhënë kaq shumë liri”, thotë Rothen.
Ish lojtari i kombëtares franceze nuk i jep një vlerësim të mirë Mbappe, që në tre ndeshjet e fazës në grupe nuk gjeti golin, pavarësisht se ishte ndër protagonistët te autogoli i Hummels në ndeshjen ndaj Gjermanisë.
"Ne presim më shumë nga Kylian Mbappe. Të gjithë mendojnë se Mbappe është një nga lojtarët më të mirë në Europë. Por nëse menjëherë e vendosni atë në kategorinë e më të mirëve, nuk mund të jeni të kënaqur me kaq", tha Rothen.