Thaçi zbulon objektivat e Malishevës në sezonin e ri, kritikon ashpër lojtarët që po largohen nga klubi

Futboll

Thaçi zbulon objektivat e Malishevës në sezonin e ri, kritikon ashpër lojtarët që po largohen nga klubi

Më: 27 qershor 2021 Në ora: 12:24
Arsim Thaçi

Për herë të parë në historinë e tij klubi i futbollit “Malisheva” do të garojë në Superligën e Kosovës në edicion garues 2021/22. Nën drejtimin e trajnerit Arsim Thaçi skuadra nga Malisheva u shpall kampione e Ligës së parë në sezonin e kaluar pas një lufte të ashpër deri në javën e fundit me klubin e futbollit Dukagjini.

Duke folur për punën e bërë më këtë klub, Thaçi thotë se është punuar me shumë vullnet dhe përkushtim dhe se Malisheva di të prodhojë futbollist shumë cilësorë siç janë Endrit Krasniqi e Mendurim Hoti që janë ndër lojtarët më të mirë në Kosovë.

Thaçi: Në fillim nuk ishte e lehtë, por çdo punë e bërë me vullnet dhe angazhim sjellë rezultate

“Është e kuptueshme që çdo punë kur fillon me vullnet edhe me dëshirë atëherë gjërat besoj që do të shkojnë jashtëzakonisht mirë...Duke e njohur se Malisheva ka shumë të rinj që sot janë, po foli sidomos në futboll, kemi dy futbollistë që janë rritur në Malishevë, Endrit Krasniqi dhe Mendurim Hoti, sot janë prej lojtarëve më të mirë në Kosovë. Do të thotë vet potenciali i tyre ka bërë që unë pak a shumë të shkoj të merr me klubin ku qëllimi kryesor i klubit ka qenë me provu realisht a do të jetë Malisheva ajo që do të prezantojë vitin e ardhshëm në Superligë edhe kuptohet takimi që kemi pasur me presidentin e klubit Driton Morina, personalisht ka qenë jashtëzakonshëm....ka bërë që unë të besoj se me ata njerëz edhe me pak angazhim kuptohet me arrit qëllimin me Malishevën. Fillimisht nuk ka qenë e lehte me vet faktin se konkurrenca ka qenë shumë e madhe.”, tha Thaçi.

Madje, Thaçi duke folur për KosovaPress, thotë se kjo skuadër shumë lehtë ka mundur të inkuadrohet para një viti në Superligën e Kosovës por që lëshimet e bëra në ndeshjen vendimtare kundër Arbërisë ia mohuan këtë mundësi.

Thaçi: Malisheva ka mundur të inkuadrohet në Superligën e Kosovës para një viti

“Sigurisht se Malisheva sikur mos të ishin gjërat që ndodhin në futbollin e Kosovës, Malisheva ndoshta do të hynte një vit më herë duke e ditur se ndeshjen vendimtarë me Arbërinë, që Arbëria këtë vit ra prej Superligës, ishte një lojë ku pati lëshime të jashtëzakonshme në ndeshje, si pasojë e asaj Malisheva e humbi mundësinë për t’u inkuadruar në Superligë. Mirëpo vitin e dytë, Malisheva hyri në kampionat me synime të njëjta që ta arrijë qëllimin.... Kështu që në e arritëm objektivin që Malisheva të shpallet kampion dhe pas asaj kuptohet qe kemi punuar dhe jemi duke punuar ende që klubi të paktën këtë vit ta prezantojë futbollin e Malishevës në mënyrën më të mirë të duhur në Superligën e Futbollit të Kosovës.”, theksoi Thaçi.

Para pak ditësh, trajneri Arsim Thaçi e vazhdoi kontratën e Malishevën duke iu thënë “JO” ofertave nga disa klube të tjera për t’i qëndruar besnik punës së bërë në vitin e fundit. Ai madje zbulon edhe dilemën e vetme që e kishte para se ta nënshkruante vazhdimin e kontratës së re.

Thaçi: Nuk kanë munguar ofertat nga klube të tjera, por vendosa të qëndroj në Malishevë

“Për shkak edhe thash të eksperiencës që kam kaluar një numër shumë të madh të klubeve kuptohet që edhe ofertat tjera nuk kanë munguar. Është e kuptueshme që ai inercioni i suksesit një vit ose një sezon më herët tërheq te ai klub ku ti e ke arritur qëllimin. Kjo ka ndodh me Malishevën, ajo dilema që ka qenë e imja për ta vazhduar në Superlligën e Futbollit të Kosovës ka qenë çështja e infrastrukturës ku Federata e Futbollit të paktën pati treguar disa gjëra që për kampionatin 2021/22 nuk mund të luajnë klubet në fushat sintetike por duhet të jenë të gjitha natyrale dhe tash Malisheva e ka fushën sintetike dhe dilemat kanë qenë se ku do ta zhvilloj unë aktivitetin. Me vet faktin që tani ke marr konfirmimin se edhe një vit mund të luajmë në atë fushë kuptohet që pastaj marrëveshja ka qenë shumë më e lehtë...Aty e kam pasur pak dilemën por edhe ajo çështje u rregullua me Federatën e Futbollit edhe do të vazhdojmë të stërvitemi aty, të luajmë aty edhe normal që është një lehtësim më i madh. Kështu që jemi pajtuar me klubin edhe shpresoj që të vazhdojmë edhe të arrijmë sukses pse jo edhe në Superligë me Malishevën.”, deklaroi më tutje Thaçi.

E sa i përket debutimit në Superligën e Kosovës, Thaçi thotë se Malisheva do ta ketë për objektiv qëndrimin në elitën e futbollit vendor dhe pas kësaj klubi duhet të organizohet në nivele më të larta për të synuar objektiva më të mëdha.

Thaçi: Mbetja në Superligës do të jetë objektivi i Malishevës në sezonin e ri

“Është e kuptueshme çdo klub që hynë një rang të garave më lartë nuk e ka përvojën e atij niveli e aq më tepër kur Malisheva për herë të parë, është historike, që bënë gara në Superligën e Futbollit të Kosovës. Kuptohet që na nevojitet kohë që të stabilizohemi fillimisht në Superligën e Futbollit të Kosovës... Nëse kalojmë këtë vit pa ndonjë problem, po flas gjithmonë të atij presionit të rënies nga Superliga, atëherë normal vitin e dytë klubi duhet të organizohet në nivel më të lartë që të mund të synojë pastaj qoftë pjesëmarrjen në garat ndërkombëtare ose ndonjë sukses tjetër.”, tha Thaçi.

Në lidhje me afatin kalimtar, trajneri i Malishevës thotë se ata janë duke punuar për t’i mbajtur lojtarët që janë momentalisht pjesë e skuadrës dhe më pastaj të shohin nëse do të kenë mundësi të tjera për të përforcuar ekipin sepse klubi ka nevojë për blerje të reja.

Thaçi: Synojmë t’i mbajmë lojtarët që i kemi dhe pastaj të shohim për mundësi të tjera

“Normal që gjërat janë planifikuar në fillim me këta lojtarët që kanë bartur barrën kryesore këtë vit, jemi duke biseduar me ta, të paktën deri në fund të kësaj jave t’i mbyllim marrëveshjet me këta lojtarë, që vërtetë kanë qenë shumë cilësor, lojtarë të rinj, lojtar me potencial edhe kanë vlerat e tyre dhe pas kësaj kuptohet që do të bisedojmë pastaj për mundësitë tjera. Ku do që kemi nevojë pastaj të përforcohemi, ajo që ka nevojë më së shumti klubi është niveli dhe cilësia e lojtarëve që pak a shumë e kanë përvojën e Superligës...Përveç pjesës së portierëve që Malisheva i ka dy portierë shumë cilësorë, pjesët tjera mendoj se çdo repart ka nevojë të përforcohet por varet edhe prej nivelit të lojtarëve, cilësisë pak a shumë të lojtarëve çfarë i kemi në dispozicion.”, theksoi Thaçi.

Njëri nga lojtarët kryesor të sezonit të kaluar, Albion Rrahmani së fundi e braktisi Malishevën dhe iu bashkua Ballkani të Suharekës dhe kjo lëvizje e tij duket se nuk i ka pëlqyer aspak trajnerit Arsim Thaçi. Ai ka thënë për KosovaPress se lojtarët që bëjnë lëvizje të tilla do të jenë dështim në të ardhmen sepse nuk e kanë përvojën e duhur.

Thaçi: Lojtarët që largohen në drejtim të klubeve të tjera do të dështojnë

“Çdo lëvizje e këtyre lojtarëve që janë kuptohet me potencial në drejtim të klubeve të tjera është një dështim i vet këtyre lojtarëve. Vet fakti që këta lojtarë kanë përvojën, eksperiencën e kanë të Ligës së parë, nuk e kanë të Superligës, klubet e mëdha qoftë Ballkani, qoftë Gjilani, qoftë Prishtina këta lojtarë i marrin si alternativë. Momentin që një lojtarë që ka luajtur një vit, ose po e marr shembull Albion Rrahmanin që tani më nuk është pjesë e Malishevës për shkak se nuk kemi arritur marrëveshje, ka ambicie të tjera të luajë në klube më të mëdha, është çështje e tij, është personale e tij mirëpo kuptohet çdokush i bartë pasojat vet. Është një lojtarë që iu ka dashur të paktën një kampionat në një klub ku të paktën është zhvilluar si lojtar.”, tha Thaçi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat