Marek Hamsik transferohet në kampionatin turk.
Mesfushori sllovak ka nënshkruar një kontratë një vjeçare me skuadrën e Trabzonspor dhe ka mbërritur mbrëmjen e djeshme në Stamboll, ku është pritur nga qindra fansa të klubit.
Futbollisti që më 27 korrik do të festojë ditëlindjen e 34-t, sezonin e kaluar e kaloi te suedezët e Goteborg, ndërsa këtë verë ishte i impenjuar në Euro 2020 dhe menjëherë pas eliminimit të Sllovakisë, fluturoi drejt Stambollit, për të firmosur me klubin e Trabzonsporit.
I rritur te Slovan Bratislava, Hamsik u transferua te Bresica në 2004-ën dhe qëndroi për tre sezone, ndërsa më pas në periudhën 2007-2019 ishte pjesë e Napolit, ku mbajti edhe shiritin e kapitenit për disa sezone.
Në verën e 2019-ës Hamsik u transferua në kampionatin kinez te Dalian Professional, ku qëndroi deri në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa në janar u rikthye në Europë, këtë herë për të veshur fanellën e Goteborgut.
Transferimi i Hamsik te Trabzonspor ka entuziazmuar jo pak fansat e klubit turk, që shohin mesfushorin si futbollistin e duhur për të udhëhequr skuadrën drejt trofeve dhe një përfaqësimi dinjitoz në Europë.