Më spektakolar dueli tjetër mes Perusë dhe Paraguait, i zhvilluar në qytetin Goiania, ku pati përmbysje dhe ripërmbysje të rezultatit.
Koha e rregullt u mbyll në barazim 3:3. Të parët shënuan paraguaianët me Gomez që në minutën e 11-të, por peruanët përmbysën shifrat me autogolin e autorit të finalizimit të parë të takimit dhe me golin e Lapadulas. Në fundin e pjesës së parë, sërish Gomez bëhet protagonist, por këtë herë me një ndërhyrje të gabuar, duke marrë kartonin e dytë të verdhë.
Në pjesën e dytë edhe pse me një lojtar më pak, Paraguai barazoi me Alonson në minutën e 54-t, por Yotun në të 80-tën, sërish i dha epërsinë Perusë (3-2), por Carrillo 5 minuta para fundit u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, për të ardhur më pas në minutën e fundit të takimit, kur Avalos realizoi golin e barazimit 3-3.
Në goditjet e 11-metërshave, peruanët humbën dy nga gjashtë penallti, ndërsa futbollistët e Paraguait gabuan në tri raste, duke çuar dëm gjithë atë sakrificë të pjesës së dytë, pasi luajtën në inferioritet numerik dhe rikuperuan diferencën e një goli.