Eliminimi i papritur i Francës ndaj Zvicrës në raundin e 1/ 8-ave të “Euro”-s, të hënën, zbuloi tensione midis 26 lojtarëve të zgjedhur, por edhe më gjerë. Brenda Federatës Franceze të Futbollit, e prekur ekonomikisht nga eliminimi, ky dështim është përjetuar gjithashtu keq. Kritikët drejtojnë gishtin nga kushtet e akomodimit, të cilat nuk do të ishin të përshtatshme.
Fajtore dhe sigurisht rol shumë të rëndësishëm ka luajtur drejtoresha e përgjithshme, Florons Harduen, e cila përveç keqmenaxhimit të disa situatave, ka organizuar një udhëtim në Budapest me sponsorët Francës me rastin e Francë-Hungarisë duke e ditur fort mirë se buxheti i federatës ishte në deficit.
Për akomodimin e Francës (të zgjedhur nga UEFA, si për të gjitha kombëtaret), ku lojtarët ndiheshin pak të mbyllur, Noel Lë Gre, presidenti i Federatës franceze, deklaroi: “Mjaft folëm për hotelin, seksin apo kushtet e tjera.
Nuk kemi humbur ndeshjet për shkak të hotelit. Ishte fusha e qendrës së trajnimit që në të vërtetë nuk ishte e mirë e këtë mund ta pranoj atë. Por, nëse do të themi që nëse do të kishim ndryshuar hotelin nuk do të kishim pësuar dy golat e fundit nga Zvicra do të ishte e tepërt…
Ka shumë diskutime edhe për të ardhmen e trajnerit Didie Deshamp. Mediat franceze deklarojnë se Zidan do të jetë pasardhësi, teksa me kontratën ende në fuqi, 52- vjeçari ka ende shpresë për të drejtuar “Gjelat” edhe në Botërorin e vitit të ardhshëm në Katar.
Lidhur me këtë çështje, Lë Gre ka deklaruar: “Unë do ta takoj në ditët në vijim për të bërë një vlerësim. Thashethemet nuk më përkasin. Kam shumë respekt për të dhe do ta dëgjoj. Ai ishte në krye të Francës dhe për gjithçka ndodhi në “Euro” do të më japë një shpjegim. Mbase kam gjëra për të mësuar që nuk i di ende. Të gjithë mund të kemi bërë gabime”.