Ndonëse rregullat parashikojnë një karantinim 5-ditor për të gjithë ata që udhëtojnë nga Anglia për në Itali, disa qindra britanikë ia kanë dalë të mbërrijnë në Romë, për të ndjekur ndeshjen çerekfinale mes ”tre Luanëve” dhe Ukrainës.
Autoritetet italiane kanë ngritur disa pika kontrolli për hyrjen në stadiume dhe kanë angazhuar më tepër se 3000 agjentë për të verifikuar të gjithë tifozët që do të hyjnë në stadium, duke qenë se në Angli vijojnë të raportohen të prekur të shumtë nga koronavirusi.
Megjithatë interesante ka qenë se në ambientet para stadiumit “Olimpico” janë parë edhe dhjetëra tifozë gjermanë, të cilët janë shfaqur në hyrje të impiantit kryeqytetas të veshur me fanellat e përfaqësueses së tyre.
Me gjasë këta tifozë kanë qenë të bindur për kualifikimin e Gjermanisë në çerekfinale dhe i kanë blerë biletat para ndeshjes ndaj Anglisë në “Wembley”, ndaj për të mos anuluar udhëtimin, kanë zgjedhur të ndjekin takimin e sotëm në “Olimpico”.