Të jesh veprimtar në vitet e 90-ta, ka qenë sikur të jesh në uniformë ushtarake kundër regjimit kriminal serb.
Veprimtarët sportiv dhe donatorët, ishin shtylla kryesore në çdo sferë po ashtu edhe e sportit në përgjithësi.
Bajram Vranja i takon Gjeneratës së Republikës, veprimtar sportiv dhe donator në vitet e 90-ta (1991-1999).
Vranja, kontribues i madh për sportin e Kosovës, njëherësh kryetar i klubit të futbollit Kitka (KF Kika) nga Hogoshti, në vitet më të vështira, të gjeneratës së sakrificës, kur në çdo minutë pritej e keqja nga pushtuesi serb.
Vranja në asnjë rrethanë nuk e lodhi kokën nga kërcënimet e sigurimit shtetëror serb, por veproi në kohërat më të vështira, duke kontribuar financiarisht dhe ndërtuar një ekip të fortë e me emra të njohur asaj kohe.
Jo vetëm që investoi në KF Kitka, por e ndihmoi edhe Federatën e Futbollit të Kosovës në ato vite të rënda.
Ish futbollisti i shquar, Shefket Sermaxhaj, tha: "Bajram Vranja ka dhënë shumë për futbollin dhe sportin në vitet më të vështira".
Burrë i fortë, i guximshëm dhe nuk kurseu asgjë nga xhepi në ditët kur më së shumti kishte nevojë futbolli dhe sporti.
Çdo veprimtar sportiv, çdo sportist, trajner, gjyqtar, vëzhgues etj. e dinin mirë rrezikun e madh, por në asnjë mënyrë nuk u ndalën dhe nuk kursyen asgjë nga vetja, kontribuan me aq sa kishin mundësi, ishin të gatshëm edhe të vdesin por jo të përkulen para pushtuesit serb.
Vranja, ishte prej atyre që nuk hezitoi asnjëherë për të mirën e futbollit dhe sportit në përgjithësi. Veprimtar i shquar, kryetar që drejtoj klubin me sukses dhe ishin ndër skuadrat më të forta të atyre vite.
Pa veprimtar dhe donator të tillë, vështirë se do të kishte futboll të organizuar po ashtu edhe çdo sport tjetër, në çdo sferë tjetër.
Të gjithë ishin të bashkuar në forma të ndryshme duke e luftuar regjimin serb dhe i zhvilluan me sukses garat e Kampionatit të Kosovës, në fusha të improvizuar, herë me pluhur, herë me baltë, në shi, borë e në acar.