Simone Inzaghi i ka idetë e qarta në lidhje me skuadrën e Interit. Trajneri i kampionëve të Italisë ka pranuar shitjen e Achraf Hakimit, kupton situatën e vështirë në klub për shkak të problemeve ekonomike, por ka një kërkesë për drejtuesit.
Sportmediaset shkruan se tekniku ka bllokuar largimin e Lautaro Martinez. Argjentinasi dhe Romelu Lukaku nuk preken, ndërsa të gjithë të tjerët janë të shitshëm. Në dyshim është edhe e ardhmja e Alexis Sanchez, pavarësisht dëshirës së kilenit për të qëndruar.
Interi dëshiron të investojë te lojtarët e rinj dhe të talentuar. Njëri prej tyre është Giacomo Raspadori, i cili është grumbulluar me Italinë në Euro 2020.
Sassuolo kërkon 20 milion euro për të lënë të lirë sulmuesin 21-vjeçar. Ideja e parë e Beppe Marottës ishte bllokimi i tij për vitin e ardhshëm, por Inzaghi e kërkon menjëherë në skuadër.
CEO i kampionëve të Italisë është gati të përfshijë lojtarë si Pinamonti apo edhe Oristanio, Pirola dhe Satriano, lojtarë të skuadrës primavera.
Një operacion për të cilin Interi nuk dëshiron të nxitohet, teksa Marotta do të nisë së shpejti bisedimet me drejtuesit e Sassuolos.