Pritet të jetë java e Manuel Lokatelit te Juventusi. Tashmë “Zonja” ka kaluar periudhën e surprizave dhe ka vendosur të investojë 40 milionë euro për mesfushorin e Sasuolos, të përcaktuar nga trajneri i ri Masimiliano Alegri si përforcim strategjik për rindërtimin e mesfushës bardhezi.
Gjithçka pas mbledhjes së fundit të këshillit administrativ të klubit, ku u shpalos edhe plani ambicioz i nisur me rritjen e kapitalit me 400 milionë euro.
Kështu, Lokateli pritet të jetë copëza e parë e epokës së re juventine. Në çdo rast, marrëveshja është ende për t’u përcaktuar, meqenëse Sasuolo gjatë këtyre ditëve ka marrë edhe një ofertë formale nga Arsenali për mesfushorin.
Në të kundërt të bardhezinjve, londinezët janë gati të mbyllin praktikën me pagesa të menjëhershme, pra brenda këtij sezoni. Ndërsa në Torino preferojnë të arsyetojnë mbi formulën e huazimit. Kjo mund të jetë edhe pika më delikate e kalimit të Lokatelit te “Zonja”.