Italia nuk është favorite. Ekziston një ekuilibër i shkëlqyeshëm midis axurrëve dhe Spanjës”. Alex Del Piero përpiqet ta luajë gjysmëfinalen e “Euro 2020” paraprakisht, në prognozën e tij. Një sfidë mes dy skuadrave, që prodhojnë lojë dhe shfaqje sportive.
“Të dyja kombëtaret në fillim të turneut nuk ishin favorite, – i tha ish-kapiteni juventin “AS”, – por shiheshin ndër protagonistët. Italia tregoi një lojë më të mirë se “La Roja” deri këtu, por vlerat e dy ekipeve kombëtare janë të ngjashme”.
Del Piero kujton, me hidhërim, ndeshjen kundër Spanjës në “Euro 2008”, e cila përfundoi me penallti dhe me fitoren iberike: “Me kalimin e viteve kujtesa është dobësuar disi, por e kujtoj që humbëm me penallti kundër një ekipi, që më pas bëri histori. Luftova me të gjitha forcat e mia për të luajtur atë Kampionat Europian, sezonin e kaluar fitova titullin e golashënuesit më të mirë dhe vura bast gjithçka në lidhje me atë turne. Nëse do ta kishim fituar atë ndeshje, mbase do të kishim shkuar deri në fund, por humbëm kundër një Spanje legjendare”.
Del Piero do të kishte ekzekutuar penalltinë e pestë: “Unë shpesh merrja penalltinë e fundit. Duke qenë specialist, shpesh më referonin si gjuajtësi i pestë, por fatkeqësisht nuk arrita ta godis 11-metërshin në atë ndeshje”.
Del Piero vlerëson punën e Mancini dhe kombëtares axurre: “Nuk e prisja një Itali si kjo dhe mbi të gjitha nuk prisja të luante kundër Belgjikës me të njëjtin personalitet e dominim të ndeshjeve të mëparshme (diçka më pak me Austrinë).
Është një ekip i bukur dhe i bashkuar, në të cilin të gjithë dinë çfarë bëjnë, pa një yll të vërtetë, por ku të gjithë punojnë për grupin”.
Ish-kapiteni i Juventusit përqendrohet te Insigne: “Ai tregoi guxim dhe vazhdimësi me shfaqjet e tij, ka bërë një hap të madh përpara. Mancini do të përqendrohet tek ai, Jorginho dhe Verratti, duke ditur që në stol ka alternativa të rëndësishme si Locatelli dhe Pessina. Ndeshjet sot, më shumë se kurrë, me pesë zëvendësime, nuk fitohen me 11 lojtarë, por me shumëllojshmërinë e grupit. Italia është e jashtëzakonshme në këtë drejtim”.
Duke e mbyllur me Spanjën: “Më pëlqen, në fazën e grupeve grumbulloi më pak pikë se sa meritonte. Gjithashtu e shoh fizikisht mirë, qarkullon dendur topin dhe di të vertikalizojë në mënyrë efektive”.