Mesfusha e Inter mund të përforcohet me një lojtar të ri.
Vështirësitë ekonomike kanë shtyrë klubin zikaltër që të gjejë zgjidhje të brendshme për të rritur cilësinë e skuadrës për sezonin e ardhshëm.
Sezoni i kampionëve të Italisë nis më 8 korrik.
Në pritje që të gjithë yjet të karikojnë bateritë pas ndeshjeve të luajtura me kombëtaret e tyre, Simone Inzaghi do të drejtojë stërvitjen e tij të parë si trajner i Inter-it, duke provuar shumë të rinjtë që janë kthyer nga huazimet.
Mes këtyre, ai që zgjon më shumë interes për një përfshirje të mundshme në ekipin e parë është Lucien Agoumé.
Sipas La Gazzetta dello Sport, mesfushori francez 19-vjeçar është përmirësuar pas huazimit te La Spezia. Bagazhi i tij teknik dhe forca fizike janë faktorë që mund të shërbejnë edhe në një repart të mbipopulluar si ai zikaltër.
Drejtuesit e Inter-it janë të bindur për këtë.
Marotta dhe Ausilio, në fakt, po mendojnë që t’i ofrojnë të riut një rinovim deri në 2024-ën. Besimi që Lucien mund të ndriçojë San Siro-n është shumë i madh.