Kompania Suning, që ka në pronësi edhe klubin e Interit, ka shitur rreth 17% të aksioneve të saj te një grup investitorësh, që përfaqësojnë kompani të mëdha kineze, por edhe eksponentë të qeverisë, për një vlerë totale prej 1.14 miliardë eurosh.
Kështu shumica e aksioneve mbetet në pronësi të Zhang Jindong, megjithatë pesha e këtij të fundit bie disi në këto momente, ndërsa në komunikatë thuhet se fondi që ka blerë 17% të aksioneve synon të ndihmojë Suning të rritet gradualisht dhe të rikthehet edhe më e fortë sesa ka qenë në periudhën para pandemisë.
Në fondin që kanë blerë 17% të aksioneve bëjnë pjesë edhe kompani të njohura kineze si Alibaba, Xiaomi, Haier, TLC, etj., të cilat pritet të ndihmojnë jo pak kompaninë për të dalë nga kriza e shkaktuar në kohën e pandemisë.
Kjo lëvizje mund të ketë efekt pozitiv edhe te Interi, pasi kompani të tilla me peshë mund të zgjedhin të ndihmojnë në rritjen financiare të klubit, nëpërmjet kontratave të sponsorizimit.