Trajneri i ri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, ka qenë në kontakt me Richarlison, lojtar të cilin dëshiron ta marrë me vete në Spanjë këtë verë.
Italiani u punësua nga “Los Blancos” në qershor, ndërsa vendosi të linte Everton për t’u kthyer në ish-klubin e tij me një kontratë që zgjat deri në vitin 2024.
Tani, ai është i interesuar të marrë me vete një nga yjet e Evertonit, teksa ka zhvilluar edhe bisedime me Richarlison për këtë mundësi.
Një telefonatë midis Ancelotti dhe Richarlison u zhvillua kohët e fundit, me sulmuesin aktualisht në detyrë me Brazilin për “Copa America”. Ancelotti është i etur për ta marrë atë në “Bernabeu”, por çdo bisedim i mundshëm është në fazat paraprake. Akoma, biseda midis të dyve nuk është shndërruar në ofertë për Everton, e cila mund të shqyrtohet javët e ardhshme.
Sulmuesi brazilian ka qenë tek Everton që nga viti 2018, pas një sezoni me Watford. Ancelotti arriti në mes të sezonit 2019-2020 atje, me Richarlison që shënoi 15 gola në fund të asaj fushate. Në total, Richarlison ka shënuar 42 gola në 119 ndeshje për Evertonin.