Skuadra e Llapit do të luajë nesër ndeshjen e parë kualifikuese në Ligën e Konferencës ku do të ketë përball skuadrën shqiptare, KF Shkupi.
Para këtij dueli, trajneri i Llapit, Tahir Batatina tha se për të do të jetë ndjenjë e veçantë.
“Një ndjenjë e veçantë për vet faktin që Llapi luan për herë të parë në këtë garë dhe për herë të parë luajmë kundër një skuadre shqiptare. Mendoj që dy skuadrat do të kërkojnë futboll cilësor dhe kjo i duhet futbollit, dhe jam shumë i lumtur për këtë”.
“Favorit është Shkupi sepse ka luajtur më parë në arenën ndërkombëtare, por futbolli nuk ka të bëjë me atë se sa herë merr pjesë por futbolli bashkëkohorë ka ndryshua dhe ne do të bëjmë maksimumin. Ne vlerësojmë lartë Shkupin dhe janë mjaft cilësor dhe dihen cilësitë e tyre. Por besojmë fuqishëm që të marrim një rezultat pozitiv”.
Batatina komentoi edhe deklaratat e tij që më parë ka thënë se do ta mposht Shkupin në mënyrë që të hakmerret për disfatën që maqedonasit i bën Kosovës muaj më parë në kualifikime të Ligës së Kombeve.
“Lufta do të jetë e pakompromis në aspektin sportiv por edhe patriotik dhe të ti tregojë lojtarëve të reprezentacionit se duhet ndryshe të luftohet për kombëtaren tonë, dhe të luftoj ndryshe për të sepse për ta përfaqësuar Kosovën duhet angazhim i madh. Ata djemtë duhet të marrim mësim shumë nga skuadra e Llapit”.