Anglia në alarm

Futboll

Anglia në alarm

Më: 9 korrik 2021 Në ora: 11:21
Anglia në alarm

Sapo ndodhën gjëra të caktuara në vendet shpesh të përqeshura nga kombet e rrepta të Europës veriore, por Boris Johnson është gati të përshtatet. Nëse Anglia fiton finalen europiane, e hëna mund të shërbejë si ditë shtesë festimi. Një festë shtesë bankare për qytetarët e Mbretërisë së bashkuar, sepse në atdheun e kapitalizmit, festat shtesë iu kushtohen bankave.

“Le të shohim se çfarë do të ndodhë, unë mendoj se është një sfidë ndaj fatit”, – janë fjalët e kryeministrit britanik. Zëdhënësi i tij shtoi: “Ne nuk duam të parashikojmë rezultatin e ndeshjes së të dielës. Qartësisht besojmë se Anglia do të shkojë deri në fund dhe do të fitojë, pastaj do t’i përcaktojmë planet tona”.

Ekziston një problem me kohën, sepse do të ishte një vendim i minutës së fundit, i lidhur me verdiktin e ndeshjes kundër Italisë. Burimet në “Downing Street” shpjegojnë: “Ne do të dëshironim që kompanitë të ndiheshin të afta ta konsideronin këtë mundësi, por e dimë që vendimet do të ndryshojë nga një kompani në tjetrën”. Sidoqoftë, një masë është miratuar tashmë: pub-et të dielën do të qëndrojnë të hapura deri në orën 23:15 për të festuar triumfin, ose të mbyllen në shtëpi me dhimbjen e humbjes.

Boris Johnson papritmas e gjeti veten një tifoz të futbollit, pasi kurrë nuk e kishte dashur veçanërisht këtë sport. Ai ndoqi gjysmëfinalen kundër Danimarkës së bashku me gruan e tij të fundit, Carrie Johnson, nga tribunat e “Wembley”, veshur me fanellën e ekipit kombëtar. Me siguri masat e njerëzve në një stadium që, duke filluar nga Itali-Spanjë, është rihapur për 60 mijë njerëz nuk do t’i shpëtojnë vështrimit të tij.

Rritja graduale e kapacitetit është pjesë e programit të qeverisë që po përpiqet të monitorojë ndikimin e Covid me kthimin e një numri të konsiderueshëm të njerëzve në evente publike. Rezultatet e para të studimit pritet të zbulohen para së dielës dhe siç tha ministri hije i sportit, Alison McGovern, “duhet t’i bëjmë ato publike. Nëse nuk e bëjmë këtë, do të duhet të shpjegojmë arsyen e këtij lëshimi”.

Ekziston rreziku se ky lehtësim i masave në stadium mund të prodhojë shifra alarmante, aq më tepër në një vend ku varianti Delta është në shpërthim të plotë. Dje, 32,551 raste të reja pozitive dhe 35 vdekje. Imazhet e festimeve pas gjysmëfinales me Danimarkën, me njerëzit e dehur nëpër autobusë, në metro dhe në Londër, bënë xhiron e botës. Europiani rrezikon të dalë se ishte një vatër e nxehtë e koronavirusit. Shëndeti Publik Skocez ka lëshuar të dhëna për tifozët që morën pjesë në ndeshjen Angli-Skoci, më 18 qershor, luajtur para 22.500 njerëzve: 397 të infektuar nga 2.600 tifozë skocezë në total.

Rezultatet përfundimtare do të jenë në dispozicion vetëm në fund të korrikut, kur Europiani të jetë pas nesh. Disa shkencëtarë të Mbretërisë së Bashkuar kanë shprehur një mendim negativ mbi rihapjen totale më 19 korrik dhe grupimet në “Wembley”. Boris Johnson, i presionuar nga ministrat e ekonomisë, megjithatë ka vendosur. Nuk ka kthim mbrapa. Dhe nëse Anglia fiton Europianin, do të ishte një çmim i bukur për të...

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat