Finalja e “Copa America” po afron. Neymar mezi po e pret dhe donte ta shprehte këtë përmes Instagramit. Përmes një “story” shkroi mesazhin kushtuar të gjithë atyre brazilianëve, të cilët duan Argjentina të jetë kampione e “Copa América” këtë të shtunë…
Diçka e habitshme pa dyshim, por e vërtetë. Ka vendas që dëshirojnë të shohin Leo Messin të ngrejë trofeun e tij të parë me Argjentinën, dhe shumë që madje e kanë tatuazh atë. Në funksion të numrit të madh të brazilianëve që treguan simpatinë e tyre për Argjentinën, 10-ta e Selecao u nxeh dhe shkroi si vijon:
“Me shumë krenari dhe me shumë dashuri, ëndrra ime ka qenë gjithmonë të luaja me kombëtaren braziliane dhe të dëgjoja tifozët duke kënduar. Unë kurrë nuk kam sulmuar ose do të sulmoj nëse Brazili po luan për diçka, pavarësisht nga sporti, një konkurs modelimi, Oskar-i etj. Nëse Brazili është atje, unë jam nga Brazili. Ka edhe brazilianë që bëjnë ndryshe? Mirë, i respektoj ata, por këtë postim e kam pë rata që nuk dalin kundër Brazilit”.
Pastaj, Neymar postoi “story” tjetër me Thiago Silva dhe disa bashkëlojtarë të tjerë gjatë seancës së fundit stërvitore në Teresópolis, ku skuadra përgatitet për duelin e kësaj të shtune kundër Argjentinës, për finalen e “Copa América 2021”. 10-ta mori komente miqësore, që i sugjeronin se kjo iniciativë nuk është mënyra më e mirë për të ndryshuar mendimin e dikujt dhe për t’i unifikuar tifozët.
Megjithatë, besnik në stilin e tij, ai u shpreh dhe e bëri të qartë se e shqetëson shumë fakti që ka brazilianë, të cilët nuk duan ta shohin kombëtaren e tyre kampione.