Kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta shprehu keqardhje për humbjen 3-1 që shkodranët pësuan në transfertë ndaj Shiroki Brijeg në sfidën e vlefshme për raundin e parë të Ligës së Konferencës. Në prononcimin pas sfidës, mbrojtësi ndër të tjera deklaroi:
“Ishte një humbje e papritur. Nuk e mendonim kështu! Nuk kam fjalë në këto momente, por nuk dua as të justifikohem. Arbitri u pa që në minutën e parë që ishte shumë tendencioz. 2-3 faulla dhe rivënie anësore të padhëna në krahun tim, që ishin 100% për ne, i dha kundër.
Iu thashë çunave që të kishim kujdes, sepse ishte e dukshme që arbitri ishte shumë tendencioz. Rastet e penalltive, janë shumë faulla të lehta për t’u dhënë 11-metërsha. Kjo nuk ishte për justifikim. E meritonim të humbisnim. Gjithsesi ai goli në fund na ka rihapur shpresat dhe mund të besojmë se në Shkodër mund ta kthejmë rezultatin. Te penalltia pata kontakt, por ishte shumë i lehtë për t’u dhënë penallti.
Të them realitetin, në momentin që ishim 3-0 kishim 0% shanse, por ai gol në minutat e fundit, i rihapi shanset.
Një gol i shpejtë në Shkodër, do të na ndihmonte, duke pasur parasysh që tani është hequr dhe goli në fushë kundërshtare. Me 2 gola diferencë në Shkodër, ndeshja shkon në shtesë. Kemi shumë shanse, me ndihmën e tifozëve që na mbështesin. Do të bëjmë lojën tonë do të shikojmë ku kemi gabuar dhe besoj se do të riparojmë”, u shpreh Gurishta.