UEFA e pranon / Formati i Euro2020, një dështim. Ceferin: S’besoj se do ta përsërisim më

Futboll

UEFA e pranon / Formati i Euro2020, një dështim. Ceferin: S’besoj se do ta përsërisim më

Më: 9 korrik 2021 Në ora: 21:28
Aleksander Ceferin

UEFA e cilëson si një dështim formatin aktual të finaleve të Euro2020, të shtrira gjeografikisht nga Baku i Azerbajxhanit në lindje deri në Glaskoun skocez në Perëndim.

“Nuk do ta mbështes më këtë (Format). Mendoj se është shumë sfidues, por në një farë mënyrë nuk është as i drejtë për disa skuadra të duhet të udhëtojnë më shumë se 10 mijë kilometra dhe të tjera, si shembull 1 mijë kilometra”, tha Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin.

Formati u konceptua nga UEFA si mënyrë për të festuar 60-vjetorin e kompeticionit, që ishte vitin e kaluar. Ideja dukej joshëse në teori, por në praktikë pati vështirësi logjistike që u përkeqësuan edhe nga pandemia që shkaktoi shtyrjen e turneut me një vit.

Në këtë format, finalja Itali-Angli sugjeron se janë favorizuar skuadrat që kanë udhëtuar më pak. Si Italia, ashtu edhe Anglia kanë zhvilluar ndeshjet e fazës së grupeve në shtëpitë e tyre, ndërsa kanë udhëtuar pak pas këtyre ndeshjeve.

Zvicra ishte skuadra më pak e favorizuar, që udhëtoi rreth 15 mijë kilometra deri në çerekfinale dhe më pas Belgjika me rreth 10 mijë kilometra.

Anglia ka udhëtuar vetëm 3500 kilometra, me udhëtimin e vetëm vajtje-ardhje për në Romë ku luajti kundër Ukrainës në çerekfinale. Italia ka udhëtuar rreth 4 mijë kilometra me tre ndeshje të luajtura në Romë, tre në Londër dhe një në Mynih. Skocia është skuadra me më pak kilometra, vetëm 1 mijë.

“Nuk është e drejtë as për tifozët. Disa duhet të ishin në Romë dhe brenda ditës tjetër, ose pak ditëve duhej të udhëtonin në Baku në një fluturim 4 orë e gjysmë. Na duhej të udhëtonim shumë në vende të ndryshme me ligje të ndryshme, rregulla të ndryshime, valuta të ndryshme brenda BE dhe jashtë BE. Nuk ishte e lehtë”, thotë Ceferin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat