Barcelona ka arritur marrëveshje me Rapid Wiennan për sulmuesin tinejxher Yusuf Demir, ku ky i fundit do t’i bashkohet ekipit të Barcelona B në formë huazimi, ku në marrëveshje është përfshirë edhe opsioni me të drejtë blerje për 10 milionë euro.
Sulmuesi i talentuar do të kalojë tek katalunasit në një marrëveshje huazimi që momentalisht do t’i kushtojë Barçës rreth 500 mijë euro.
Përmes rrjeteve sociale, Barcelona e ka konfirmuar marrëveshjen me Rapid Wiennan për Demir, ku për këtë të fundit treguan edhe disa detaje të karrierës së tij.
“Yusuf Demir është një 18 vjeçar austriak, i cili ka qenë pjesë e skuadrës bazë për dy sezone, duke regjistruar 31 ndeshje dhe duke shënuar gjashtë gola. Po ashtu, ai ka bërë debutimin e tij edhe me kombëtaren e tij”, shkruante në rrjetin social “Twitter” të Barcelonës.
“Demir është një lojtar me një këmbë të majtë tejet kualitative, që mund të luajë në të gjithë repartin e sulmit, më shumë në krahë por edhe në qendër. Ai mund të jetë i ri në moshë, por ka eksperiencën e të luajturit në nivele të larta, dhe sigurisht din që të shënoj gola”, shkruante më tej.
Demir, i cili ka lindur në Stamboll të Turqisë, bëri debutimin e tij për Rapid Wiennan në dhjetor të vitit 2019. Në shtator të vitit 2020, ai u bë golashënuesi më i ri austriak që shënon gol në Ligën e Kampionëve, ku shënoi gol në ndeshjen kualifikuese të Rapid Wiennas kundër Gent-it, në moshën 17 vjeçare, muajin e tretë dhe ditën e 13 të tij.
Debutimin e tij me Kombëtaren e Austrisë Demir e bëri në mars të këtij viti, ku u paraqit në ndeshjen kualifikuese për në Kupën e Botës kundër Ishujve Faroe.