Italia, kjo kombëtare sa cinike aq edhe e bukur, në fakt kjo e fundit është edhe fjala më e përshtatshme për ta për përshkruar skuadrën e Roberto Mançinit. Në fazën e grupeve ajo befasoi këdo me një lojë spektakolare dhe tërheqëse.
Çfarë duhet të kërkonte më shumë një tifoz italian teksa shihte skuadrën e tij në Romë?! Ndaj Anglisë në finale do të jetë një sfidë shumë ndryshe, për vetë faktin që është një finale. Aty ku do të luhet për gjithçka. Favoritët? E vështirë të thuash, edhe pse në fund fiton ai që taktikisht ka përgatitur më mirë ndeshjen, dhe kjo në të gjitha aspektet.
TAKTIKA – Italia që kemi parë deri tani nuk ishte ajo e katenaços, edhe pse ndaj Spanjës iu desh të mbrohej, kjo për meritë të kundërshtarit. Ishte skuadra italiane ajo që shënoi e para, eh, si mund ta quash katenaço? Një fjalë të cilën e kemi dëgjuar shumë dhe e kemi parë shumë herë në të shkuarën. Por kjo nuk është skuadra e Mançinit, i cili edhe pse vjen nga një shkollë italiane, sukseset e para i kishte në Angli, te Mançester Siti, aty ku mësoi se si luhej futbolli i vërtetë. Këta të fundit ai do të kërkojë t’i mundë me stilin e tyre, me futboll të hapur dhe pasionant. Pasioni nuk do të mungojë dhe nuk ka munguar gjatë turneut tek “Axurrët”, diçka të cilën mund ta dallosh që në këndimin e himnit. Tenorë të vërtetë, nga ata të cilët zëri u dëgjohet edhe jashtë stadiumit. Por në “Wembley” kërkohet një zë më i lartë, për të mos u mbytur në jehonën e tifozëve anglezë të cilët janë të etur për një trofe. Taktika? Ah po, taktika. Kjo ishte një nga taktikat që do të përdoret.
PENALLTITË – Një element i rëndësishëm në futbollin e sotëm dhe sidomos kur bëhet fjalë për një finale. Momente në të cilat pulsi i zemrës tek ai që gjuan, ai që pret dhe te tifozët shkon mbi normalen. Një emocion i cili i jep kuptim gjithçkaje, vetë ekzistencës së lojës më popullore në botë. Italianët janë specialistë në goditjet nga pika e bardhë, ashtu siç janë në gatimin e makaronave të famshme. Qetësi dhe vetëbesim, gjithçka që duhet për të fituar në momente të tilla, fati sigurisht është një element i rëndësishëm, por përderisa atë nuk mund ta kontrollosh, është më mirë të mendosh për diçka tjetër.
MENTALITETI – Gjendja fizike, mentaliteti, dhe shpirti i garës është risia e italianëve në këtë turne. Elementi forcë që është parë dikur te gjermanët por tani është trashëguar edhe në vendin e çizmes së madhe në hartën e Europës. Italianët kanë mësuar shpejt dhe për më tepër kanë perfeksionuar detaje të rëndësishme, edhe pse më parë nuk i kanë zotëruar.
Forca fizike e cila do të jetë një aspekt kryesor në finalen e “Wembley”-t anon nga ana italianëve dhe kjo për një arsye, ata janë më të freskët psikologjikisht, kjo pasi freskia fizike buron nga ajo mendore. Përball një |Wembley| të mbushur plot, anglezët do të jenë të ngarkuar psikologjikisht për të mos menderosur një mundësi që vjen një herë në 55 vjet dhe Italianët janë të gatshëm të përfitojnë.