Kombëtarja e Anglisë ka dështuar ta fitojë trofeun e parë historik të Kampionatit Evropian të futbollit.
“Tre Luanët” u mposhtën në finale të “Euro2020” nga Italia pas ekzekutimit të penalltive me rezultat 3-2 në stadiumin “Wembley” në Londër.
Marcus Rashford, Jadon Sancho dhe Bukayo Saka ishin tre lojtarët anglezë që dështuan nga 11 metërshi.
Por këta të fundit janë duke u përballur me fyerje të ashpra në baza racore nga mijëra tifozë të Anglisë në rrjetet sociale.
Llogaritë e tyre në rrjetet sociale janë “pushtuar” nga figura të ndryshme si majmunë e banane (emoji).
E për këtë dukuri të tmerrshme ka reaguar edhe Federata Angleze e cila e ka dënuar ashpër një gjë të tillë.
“Ne jemi të neveritur që disa nga skuadra jonë – të cilët kanë dhënë gjithçka për fanellën këtë verë – janë nënshtruar abuzimit diskriminues në internet pas ndeshjes së mbrëmjes. Ne qëndrojmë me lojtarët tanë”, ka shkruar FA në faqen zyrtare.