Bregu te Boluspor

Futboll

Bregu te Boluspor

Më: 13 korrik 2021 Në ora: 11:29
Bregu te Boluspor

Dejvi Bregu ndjek gjurmët e emrave si Gentian Selmani, David Domgjoni,  Eduart Rroca, Kristal Abazaj, Valon E’themi, Erald Çinari, Esat Mala apo Esin Hakaj të cilët lanë Kategorinë Superiore për t’u transferuar në Turqi. 

Ashtu siç zbuloi Supersport pak ditë më parë golashënuesi më i mirë i sezonit të fundit në Superiore ka bërë hapin e madh në karrierë duke u transferuar te skuadra e ligës së parë turke Boluspor.

Vetëm pak ditë pasi zyrtarizoi largimin nga Teuta, Dejvi Bregu u prezantua te Boluspor me të cilët ka firmosur një kontratë 2-vjeçare me opsion rinovimi edhe për një tjetër sezon. Te Boluspor, Bregu do të ketë shok skuadre ish-portierin e Laçit Gentian Selmani i cili me siguri do ta ndihmojë të ambientohet më shpejt.

Nga sa mësohet sulmuesi 25-vjeçar nga kontrata e tij e re do të përfitojë rreth 15 mijë euro në muaj. Përveç Selmanit dhe tashmë Bregut në të kaluarën fanellën e Boluspor e kanë veshur edhe dy shqiptarë të tjerë pikërisht Gilman Lika dhe Renato Arapi. Autori i 16 golave në edicionin e fundit të Kategorisë Superiore është shfaqur shumë i lumtur pas firmës me klubin turk.

Kjo është edhe eksperienca e parë për Dejvi Bregun jashtë Shqipërisë dhe nëse paraqitet në të njëjtat nivele si te Luftëtari, Skënderbeu dhe Teuta mund t’i shërbejë si një trampolinë për t’u transferuar në një klub më të rëndësishëm europian në të ardhmen.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat