Misioni kualifikim nuk është aspak i pamundur për Laçin. Bardhezinjtë do të synojnë kalimin në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës duke kërkuar përmbysjen ndaj Podgoricës. Sfida e parë në Mal të Zi përfundoi 1-0 në favor të vendasve, teksa kurbinasit shpërdoruan një penallti me Mazrekajn në sekondën e fundit të ndeshjes.
Trajneri Shpëtim Duro ka të gatshëm Ardit Deliun i cili nuk luajti në ndeshjen e parë sepse ishte i pezulluar, ne një kohë që mund të ketë hapësira për Guindo i cili e nisi nga stoli takimin e zhvilluar në “DG Arena”.
Nuk do të jetë e thjeshtë për bardhezinjtë, megjithatë paraqitja e ofruar në Podgoricë edhe pse nuk solli një rezultat pozitiv ka krijuar optimizëm në kampion kurbinas. Kundërshtari nuk është i frikshëm, dhe Laçi ka mundësinë që me pak kujdes dhe pse jo edhe me pak fat të shkojë në fazën tjetër.
Sfida mes Laçit dhe Podgoricës do të zhvillohet këtë të enjte në “Elbasan Arena” në orën 20:00 dhe do të transmetohet live në Digitalb Supersport. Nëse bardhezinjtë kalojnë këtë raund atëherë do të gjejnë përballë rumunët e Universitateas së Craiovës.