Në mungesë të trajnerit të parë Thomas Brdaric i cili është i skualifikuar për sfidën kthimit mes Vllaznisë dhe Siroki Brijeg pas kartonit të kuq që mori në Bosnje, para mediave doli zëvendësi i tij Elvis Plori i cili do të drejtojë kuqeblutë këtë të enjte në Loro Boriçi.
Në konferencën për shtyp Pioli theksoi se përmbysja e humbjes 3-1 të ndeshjes së parë është një mision shumë i vështirë për Vllazninë, ndërsa shtoi se do të ndihet shumë mungesa e Krymit. Plori nënvizoi se Latifi do ta nisë sërish nga stoli ndërkohë që prania e tifozëve shkodranë në stadium do të jetë një plus i madh për Vllazninë.
“Është e shumë pritur për ne dhe për gjithë opinion shkodran, pasi ka 10 vite që nuk luajmë në kupat e Europës në Shkodër. Është e shumëpritur edhe për një arsye tjetër, pasi prej dy vitesh që luajmë pa tifozë. Ka adrenalinë tjetër me tifozë, edhe pse me numër të reduktuar”.
“Është e vështirë të përmbysim rezultatin. Moralisht skuadra është e mirë. Nuk ishte rezultati i merituar atje. Nuk dua të kthehem te arbitrat që janë diskutuar. Shoh optimizëm për të kthyer rezultatin dhe kjo më mbush me shpresë”.
“Duhen shumë gjëra për të fituar. Duhet të jemi kërkues dhe agresiv për të shënuar shpejt, por edhe të jemi të kujdesshëm, pasi do na godiste në çdo aspekt. Do bëhej dyfish më e vështirë. Duhet të jemi të përgatitur, të jemi agresivë dhe racional”.
“Shkodra ka qenë armë e fortë për çdo futbollist ndër vite. Jo më kot përmenden tifozët e zjarrtë të Vllaznisë. Mezi presim t’i kemi në stadium tifozët”.
“Brdaric mungon, po do komunikojmë. Kemi bashkëpunim perfekt. Shpresojmë të shënojmë shpejt. Latifi nuk do luajë nga fillimi. Të gjithë e njohin dhe ka shumë dëshirë, por nuk është ende i gatshëm. Do ketë minuta për të, por duke parë se si shkon ndeshja”.
“Rivali vendoset mirë taktikisht dhe del shumë mirë përpara. Nëse e sulmon me shumë forca, duhet të shohësh edhe prapa. Jemi munduar të bëjmë korrigjime. Krymi na prish shumë punë që mungon. Do mundohemi të përshtatim Jonuzin dhe Kalezic, që ta përballojmë mungesën e tij”.
“Nuk e shikoj veten të aftë të gjykoj një arbitër pa nisur ndeshje. Arbitrat e huaj, kur kanë ardhur këtu edhe në kampionat, nuk ka pasur protesta siç ndodhi atje me ne. Uroj të mos ndodhë më”.